TERMAT DHE KUSHTET E PËRGJITHSHME TË PËRDORIMIT TË KUIK
Këta terma dhe kushte të përgjithshme të përdorimit të KUIK (këtu e më tutje, “TKP”) ofrojnë një
tablo të përgjithshme të të drejtave, detyrimeve, si dhe të kushteve të përdorimit të KUIK, dhe përbëjnë një
marrëveshje midis Bankës dhe Përdoruesit. Përdoruesi duhet të lexojë dhe pranojë këto TKP përpara se të
regjistrohet për dhe përdorë KUIK, dhe Përdoruesi konsiderohet se ka lexuar, kuptuar dhe pranuar këto TKP përpara
se të regjistrohet për dhe përdorë KUIK.
- PËRKUFIZIME
- “Aplikacioni KUIK” ose “Aplikacioni” – është një aplikacion mobil, që mund
të shkarkohet nga Përdoruesit nga dyqanet përkatëse të aplikacioneve të platformave Android dhe iOS, që u
mundëson Përdoruesve të aksesojnë dhe përdorin KUIK. Aplikacioni mund të përdoret nga Pajisjet siç specifikohet
në këto TKP. - “Banka” – është Banka Raiffeisen sh.a., që ekziston dhe është e organizuar sipas ligjeve të
Shqipërisë, me seli të regjistruar në Rr. e Kavajës, P.71, Sh.1, Ap.4, Tiranë, Shqipëri. - “Ditë Pune” – do t’i referohet çdo dite pune të javës, nga e Hëna në të Premte, 9 AM – 5 PM,
me përjashtim të pushimeve zyrtare. - “Fjalëkalimi Njëpërdorimësh (Onetime Password-OTP)” – është një kod (seri numrash) që i
dërgohet Përdoruesit me SMS, që përdoret vetëm një herë, të cilin Përdoruesi e vendos në
Aplikacionin KUIK për autentifikimin e Pajisjes së tij/saj në KUIK. Vlefshmëria e OTP është 2 (dy) minuta. - “KUIK” – është shërbimi i ofruar nga Banka Përdoruesve, që përdoret përmes Aplikacionit, që
mundëson transferta llogari bankare-me-llogari bankare brenda vendit, brenda bankës dhe ndërbankare. KUIK
përfshin shërbime si transferim fondesh, kontroll të balancës, detaje të transaksioneve, dhe çdo shërbim tjetër
që Banka mund të vendosë të ofrojë përmes KUIK nga koha në kohë. - “Limiti Ditor i Shumave të Transfertave” – do t’i referohet volumit maksimal të shumave të
Transfertave të lejuara për t’u dërguar nga Përdoruesi brenda 24 orësh (nga 00.00 AM deri 23.59 PM) përmes KUIK.
Për hir të qartësisë, ky limit do të zbatohet për shumën kumulative të Transfertave të kryera brenda një dite.
Çdo ndryshim i limiteve do t’i njoftohet Përdoruesve nga Banka. - “Limiti i Numrit të Transfertave për Periudhën Totale të Përdorimit” – do t’i referohet
numrit total të Transfertave të lejuara për t’u dërguar gjatë të gjithë periudhës së përdorimit të KUIK, i
zbatueshëm për Përdoruesit e Kufizuar. - “Limiti i Shumave të Transfertave për Periudhën Totale të Përdorimit” – do t’i referohet
volumit maksimal të shumave të Transfertave të lejuara për t’u dërguar gjatë të gjithë periudhës së përdorimit
të KUIK, i zbatueshëm për Përdoruesit e Kufizuar. Për hir të qartësisë, ky limit do të zbatohet për shumën
kumulative të Transfertave të kryera gjatë të gjithë periudhës së përdorimit të KUIK si Përdoruesi i Kufizuar. - “Llogari Bankare” – është llogaria bankare e Përdoruesit pranë Bankës, e cila do të lidhet me
KUIK. - “LLogaria KUIK” – do të nënkuptojë të dhënat e Përdoruesit që po regjistrohet/është
regjistruar për KUIK që e lejon Përdoruesin të autentifikohet në/aksesojë Aplikacionin KUIK dhe përdorë
shërbimet e tij. - “MSISDN” – do t’i referohet një numri telefoni celular.
- “Numri Personal i Identifikimit (PIN)” dhe/ose “Touch ID” – është një kod
(seri numrash) dhe/ose shenja/t e gishtit/ave të Përdoruesit, që mundëson aksesin dhe autentifikimin e
Përdoruesit në KUIK dhe konfirmon/autorizon Urdhër Pagesat dhe veprimet e tjera e iniciuara apo ndërmarra nga
Përdoruesi në Aplikacionin KUIK. - “Pajisje” – do të jetë çdo pajisje mobile, me një sistem operativ Android ose iOS, e
përputhshme me Aplikacionin KUIK, të cilën Përdoruesi e përdor për të përdorur KUIK. - “Përdorues” – do t’i referohet secilit dhe të gjithë klientëve të Bankës, të cilët kanë të
paktën një llogari bankare aktive pranë Bankës, dhe të cilët janë regjistruar për, në Bankë apo online, dhe/ose
përdorin KUIK për të dërguar dhe/ose marrë fonde, dhe të cilët, për këtë qëllim, kanë klikuar-për-të-pranuar
dhe/ose nënshkruar këto TPK. Përdoruesi mund të jetë Përdorues i Kufizuar ose Përdorues me të Drejta të Plota.
Përveç nëse specifikohet ndryshe, Përdoruesi do të nënkuptojë edhe Përdoruesit e Kufizuar edhe Përdoruesit me të
Drejta të Plota. - “Përdorues me të Drejta të Plota” – do të jetë Përdoruesi i cili ka kryer procesin e
regjistrimit për KUIK pranë Bankës përmes plotësimit të formularit përkatës, dhe duke pranuar dhe nënshkruar
këto TKP. Përdoruesi me të Drejta të Plota do të jetë në gjendje të përdorë të gjithë shërbimet dhe
funksionalitetet KUIK siç parashikohet në këto TKP. - “Përdorues i Kufizuar” – është Përdoruesi i cili ka kryer procesin e regjistrimit për KUIK
online, duke plotësuar të dhënat përkatëse dhe duke pranuar (përmes klikimit-për-të-pranuar) këto TKP.
Përdoruesi i Kufizuar do të përdorë KUIK në mënyrë të kufizuar. Përdoruesi i Kufizuar do të bëhet Përdorues me
të Drejta të Plota duke nënshkruar personalisht këto TKP pranë Bankës. - “Përfituesi” – është Përdoruesi i cili është përfituesi i çdo Urdhër Pagese të vlefshme.
- “Pronësia Intelektuale” – do të nënkuptojë secilën dhe të gjitha patentat, markat tregtare,
dizenjot, të drejtat e autorit, know-how, sekretet tregtare, emrat e domeineve, adresat e internetit, të drejtat
në informacionin konfidencial, dhe të gjitha të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale, të regjistruara apo
të paregjistruara, dhe të drejtat për të aplikuar për to, të lidhura apo të përmbajtura në KUIK dhe aplikacionin
e tij. - “Regjistrimi Online” – është regjistrimi online për KUIK duke përdorur Aplikacionin KUIK
përmes plotësimit nga Përdoruesi të të dhënave/informacionit të kërkuar. Përdoruesi do të sigurohet që këto të
dhëna/informacione të përputhen ekzaktësisht me ato të regjistruara në Bankë. Në rast të një mospërputhjeje
midis tyre, procesi i regjistrimit online nuk do të jetë i suksesshëm, dhe Përdoruesit do t’i duhet të shkojë në
Bankë për t’u regjistruar me sukses për KUIK. Përdoruesi i regjistruar online është Përdorues i Kufizuar. - “Të Dhëna Personale” – do të kenë të njëjtin kuptim si ai i përdorur në Ligjin nr.9887, datë
10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale’, i ndryshuar dhe Rregullorja e Pergjithshme Europiane per
Mbrojtjen e te Dhenave Personale, GDPR. - “Transfertat KUIK” ose “Transaksionet KUIK” ose “Transfertat”
ose “Transaksionet” – do t’i referohet transfertës elektronike të suksesshme të
fondeve nga një llogari bankare te një tjetër, përmes urdhër pagesave të dërguara dhe të procesuara përmes KUIK; - “Urdhër Pagesa” – do t’i referohet një urdhër pagese ligjërisht të detyrueshme dhe të
vlefshme, të lëshuar nga Përdoruesi, përmes KUIK, për Bankën, me qëllim transferimin e fondeve nga Llogaria
Bankare e Përdoruesit (“Dërguesi”) te Llogaria Bankare e një Përdoruesi tjetër
(“Përfituesi”). Kur Urdhër Pagesa është lëshuar në mënyrë korrekte nga Përdoruesi, sipas
procedurave të përcaktuara në këto TKP, kjo Urdhër Pagesë do të ketë të njëjtën fuqi dhe efekt sikur të ishte
lëshuar me shkrim dhe e nënshkruar nga Përdoruesi.
- PËRSHKRIMI I KUIK
KUIK është një shërbim i ofruar nga Banka, që mundëson transferim fondesh, iniciuar dhe urdhëruar përmes një
aplikacioni mobil. Përdoruesi mund të përdorë KUIK për të dërguar dhe/ose marrë fonde. Për të përdorur KUIK,
Përdoruesi duhet të regjistrohet për KUIK në Bankë ose përmes Regjistrimit Online.
Përdoruesi do të identifikohet në KUIK përmes MSISDN-së të tij/saj. Ky MSISDN do të lidhet me Llogarinë Bankare
të Përdoruesit pranë Bankës, dhe do të shërbejë si një “emër përdoruesi” kur Përdoruesi të hyjë në KUIK.
Përdoruesi do të aksesojë KUIK duke përdorur MSISDN-në dhe PIN-in e tij/saj.
Përveç transferimit të fondeve, shërbime të tjera të përfshira në KUIK janë: kontrolli i balancës, historiku i
transaksioneve, etj. Banka rezervon të drejtën të ndryshojë në çdo kohë, pa ndonjë miratim paraprak specifik nga
Përdoruesi, gamën e shërbimeve të ofruara përmes KUIK. Çdo ndryshim i shërbimeve të ofruara përmes KUIK, tashmë të
dakorduara siç parashikohet në këto TKP, do t’i komunikohet Përdoruesit nëpërmjet Aplikacionit ose SMS dhe/ose
email-it, aty ku është e zbatueshme.
Aplikacioni mund të shkarkohet në dhe përdoret nga çdo Pajisje me një sistem operativ Android ose iOS dhe në
përputhje me kriteret teknike të Aplikacionit. Shkarkimi dhe përdorimi i Aplikacionit dhe KUIK është pa pagesë.
Bëhet përjashtim për tarifat e ngarkuara nga operatori mobil dhe/ose ofruesit e shërbimit të internetit për
përdorimin e internetit, të cilat nuk bien nën përgjegjësinë e Bankës.
Aftësia për të përdorur, dhe performanca e Aplikacionit mund të ndikohet nga përputhshmëria e Pajisjes së
përdorur dhe sistemit operativ të saj me kërkesat e Aplikacionit dhe/ose interneti. Këto kërkesa të
përputhshmërisë mund të ndryshojnë nga koha në kohë, pa njoftim paraprak për Përdoruesin.
Përdoruesi mund të përdorë KUIK përmes internetit të ofruar nga çdo ofrues interneti, operator rrjeti mobil,
Wi-Fi apo tjetër, dhe Përdoruesi është pala përgjegjëse e vetme dhe ekskluzive për pagesën e tarifave të
internetit që burojnë nga shkarkimi dhe përdorimi i Aplikacionit. Banka këshillon Përdoruesit të mos përdorin
Wi-Fi publikë për arsye sigurie. Përdoruesi mund të përdorë KUIK nga kudo, edhe jashtë territorit të Republikës së
Shqipërisë. Përdorimi i Aplikacionit në këto kushte, do t’i nënshtrohet tarifave të ofruesit të internetit
përkatës.
Përdoruesi mund të lëshojë Urdhër Pagesa 24 orë/ditë, 7 ditë/javë për Përdoruesit e tjerë tashmë të regjistruar
në KUIK që kanë një llogari bankare rrjedhëse aktive në monedhën shqiptare pranë Bankës. Të gjithë transaksionet
të kryer përmes KUIK do të autorizohen, klerohen dhe shlyhen vetëm në monedhën vendase – Leku Shqiptar (ALL), apo
çdo monedhë tjetër që mund të lejohet nga Banka në të ardhmen. Me ekzekutimin e suksesshëm të transfertës, edhe
Dërguesi edhe Përfituesi, do të marrin një njoftim konfirmimi nga Aplikacioni, dhe një email, aty ku është e
zbatueshme, që konfirmon që kjo transfertë është ekzekutuar. Urdhër Pagesat ekzekutohen në kohë reale (menjëherë),
janë të pakthyeshme, dhe fondet e dërguara janë menjëherë të disponueshme.
- MIRATIMI I PËRDORUESIT PËR PËRDORIMIN E KUIK
Duke pranuar këto TKP, Përdoruesi deklaron që Banka i ka dhënë atij/asaj të gjithë informacionin në lidhje me
KUIK, që i janë vënë në dispozicion të gjithë dokumentet në lidhje me KUIK, dhe që ai/ajo ka kuptuar dhe bie
dakord me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lindin nga këto TKP.
Me regjistrimin për KUIK, Përdoruesi konsiderohet se ka pranuar dhe i nënshtrohet pa përjashtim të gjithë ligjeve
dhe rregulloreve, si dhe këtyre TPK-ve për përdorimin e KUIK, të tashme ose të ardhme, dhe, Përdoruesi bie dakord
të marrë, nga koha në kohë, komunikime nga Banka, në formën e SMS dhe/ose email apo tjetër, ku Përdoruesi
informohet në lidhje me KUIK.
- REGJISTRIMI PËR KUIK
Regjistrimi për KUIK mund të bëhet personalisht në Bankë ose përmes një procesi Regjistrimi Online, duke
rezultuar përkatësisht në Përdorues me të Drejta të Plota dhe Përdorues të Kufizuar. Banka rezervon të drejtën të
refuzojë kërkesën e një individi për t’u regjistruar për KUIK pa dhënë ndonjë arsye për këtë vendim.
Përdoruesi do t’i japë Bankës çdo informacion dhe/ose dokument origjinal që mund të kërkohet nga Banka sipas
ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, si dhe dokumente të tjerë të cilët konsiderohen të nevojshëm nga Banka për
qëllimin e ofrimit të KUIK.
Përdoruesi mund të përdorë KUIK vetëm nga një Pajisje në të njëjtën kohë. Në rast se Përdoruesi dëshiron të
përdorë KUIK nga një Pajisje e re, ai/ajo do të kryejë procesin e autentifikimit SMS-OTP të kësaj Pajisjeje të re
siç specifikohet më poshtë, duke iu dhënë akses në këtë Pajisje të re. Pasi t’i jepet akses në këtë Pajisje të re,
aksesi në Pajisjen e mëparshme revokohet.
- Regjistrimi në Bankë
Përdoruesi do të regjistrohet për KUIK në Bankë duke plotësuar formularin e regjistrimit, duke dhënë
letërnjoftimin dhe çdo informacion tjetër që mund të kërkohet nga Banka dhe duke nënshkruar këto TKP. Me
regjistrimin për KUIK, Përdoruesi do të marrë kodin e aktivizimit nga Banka. Pasi të shkarkojë Aplikacionin,
Përdoruesi do ta hapë atë dhe do të përfundojë procesin e hyrjes në Aplikacion sipas udhëzimeve të punonjësit të
Bankës.
Përdoruesi rekomandohet fuqimisht që ta përfundojë procesin e regjistrimit në degë, në mënyrë që të shmangë çdo
problem, duke përfshirë, por pa u kufizuar në skadencën e OTP-së.
- Regjistrimi Online
Përdoruesi do të shkarkojë dhe hapë Aplikacionin KUIK, duke përzgjedhur opsionin e regjistrimit për KUIK online
(“Regjistrohu”). Pas plotësimit të informacionit të kërkuar, dhe pranimit të këtyre TKP-ve, Përdoruesi do të marrë
një OTP me SMS. Të gjitha të dhënat e vendosura duhet të përputhen ekzaktësisht me ato të regjistruara në Bankë.
OTP-ja duhet të vendoset në Aplikacion brenda 2 (dy) minutash pas marrjes së tij. Nëse Përdoruesi vendos 5 (pesë)
here rresht OTP-në e gabuar, Llogaria KUIK do të bllokohet dhe Përdoruesit do t’i duhet të shkojë në Bankë për të
zhbllokuar KUIK, dhe të regjistrohet si Përdorues me të Drejta të Plota (shih më sipër). Pasi të vendosë OTP-në,
Përdoruesit do t’i kërkohet të krijojë dhe konfirmojë një PIN të personalizuar. Përdoruesit që janë regjistruar
për KUIK online do të jenë Përdorues të Kufizuar, të cilët do të kenë përdorim të kufizuar të KUIK, përveç
limiteve dhe/ose kufizimeve të zbatueshme për të gjithë Përdoruesit. Pasi të arrihen limitet e zbatueshme për
Përdoruesit e Kufizuar, Përdoruesi i Kufizuar nuk mund të dërgojë më fonde, por ende mund të marrë të tilla. Një
Përdorues i Kufizuar duhet të shkojë në Bankë për t’u bërë një Përdorues me të Drejta të Plota.
- TRANSFERTAT PËRMES KUIK
Përdoruesi mund të regjistrohet për dhe përdorë KUIK vetëm pasi të përmbushë kushtet e mëposhtme:
- ka të paktën një llogari bankare në Lekë (ALL) pranë Bankës;
- ka një Pajisje dhe një numër telefoni celular shqiptar (MSISDN);
- ka plotësuar formularin përkatës të regjistrimit (online apo në Bankë) dhe ka kuptuar dhe pranuar këto TKP;
- nuk është regjistruar për KUIK në një bankë tjetër;
- Pajisja e tij/saj është autentifikuar në KUIK;
- nuk është subjekt i asnjë pengese ligjore për përdorimin e llogarive bankare, sipas legjislacionit në fuqi.
Një Përdorues që regjistrohet për KUIK në Bankë do të ketë të drejtën të zgjedhë llogarinë bankare që do të
përdoret me KUIK për dërgimin dhe marrjen e fondeve. Në rastin e Përdoruesve të Kufizuar të regjistruar online,
Banka do të zgjedhë një llogari bankare të Përdoruesit, të hapur në Bankë, që përmbush kushtet e mëposhtme:
- duhet të jetë e lidhur me një kartë debiti;
- duhet të ketë balancë të disponueshme >=0;
- duhet të ketë të paktën 1 pagë të kredituar në momentin e aktivizimit të KUIK online.
Përdoruesi mund të dërgojë fonde përmes KUIK, nga Llogaria Bankare e tij/saj te LLogaria Bankare e një Përdoruesi
tjetër duke lëshuar një Urdhër Pagesë. Përdoruesi e inicion transferimin e fondeve nga Llogaria e tij/saj Bankare,
dhe për këtë qëllim autorizon Bankën të debitojë Llogarinë e tij/saj Bankare, dhe të kreditojë fondet në Llogarinë
Bankare të Përfituesit, duke iu nënshtruar limitimeve të përcaktuara në këto TKP dhe disponueshmërisë së fondeve
në Llogarinë Bankare të Dërguesit. Dërguesi duhet vetëm të zgjedhë nga lista e kontakteve të tij/saj, MSISDN-në e
Përfituesit dhe vendosë shumën që do të transferohet. Dërguesi mund të zgjedhë gjithashtu të përfshijë një mesazh
të personalizuar për Përfituesin.
Sapo të dërgohet Urdhër Pagesa, Aplikacioni do të shfaqë një mesazh lidhur me statusin e Urdhër Pagesës. Me
ekzekutimin e suksesshëm të Urdhër Pagesës, Përdoruesi do të marrë konfirmim për ekzekutimin e saj në dhe nga
aplikacioni, dhe/ose një email, aty ku është e zbatueshme.
- KOMISIONET DHE LIMITET
- Komisionet
Përdorimi i KUIK do të jetë pa pagesë për Përdoruesin, si për dërgimin edhe për marrjen e fondeve.
- Limitet
Përveç limitimeve të vendosura nga legjislacioni përkatës, Banka rezervon të drejtën të vendosë limitime të
mëtejshme mbi Urdhër Pagesat.
Banka do të aplikojë limitet e mëposhtme mbi Transfertat, të aplikueshme për të gjithë Përdoruesit (Përdoruesit
me të Drejta të Plota dhe Përdoruesit e Kufizuar):
- Një Limit Ditor të Shumave të Transfertave prej 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) Lekësh.
Banka do të aplikojë limitet e mëposhtme mbi Transfertat, të aplikueshme vetëm për Përdoruesit e Kufizuar:
- Një Limit të Numrit të Transfertave për Periudhën Totale të Përdorimit prej 10 (dhjetë) Transfertash nën këtë
status; dhe/ose - Një Limit të Shumave të Transfertave për Periudhën Totale të Përdorimit prej 5000 (pesë mijë) Lekësh nën këtë
status.
Sapo Përdoruesi i Kufizuar të arrijë një prej limiteve të mësipërme, ai nuk mund ta përdorë më KUIK për të
dërguar fonde, por vetëm për të marrë fonde. Për t’u bërë Përdorues me të Drejta të Plota, ai duhet të shkojë në
Bankë.
Banka rezervon të drejtën të ndryshojë limitet e mësipërme duke i njoftuar Përdoruesit 15 (pesëmbëdhjetë) ditë
përpara ndryshimeve të synuara, përmes kanaleve ekzistuese të komunikimit dhe/ose përmes Aplikacionit KUIK.
- PËRGJEGJËSIA
Përdoruesi:
- duhet të mbajë PIN-in, OTP-në, kodin e aktivizimit, Pajisjen dhe/ose MSISDN-në (kartën SIM) të sigurtë në çdo
kohë, të mos ua japë ato palëve të treta, duke qenë kështu plotësisht përgjegjës për çdo dëm, humbje apo vjedhje
të shkaktuar nga palë të treta; - duhet të njoftojë Bankën për çdo ndryshim në ato të Dhëna Personale, që janë deklaruar gjatë regjistrimit për
KUIK; - duhet të njoftojë Bankën menjëherë për çdo parregullsi apo keqfunksionim të KUIK;
- duhet të veprojë në përputhje me këto TKP dhe çdo udhëzim tjetër të Bankës;
- është plotësisht përgjegjës për saktësinë e Urdhër Pagesës të dërguar përmes KUIK;
- pranon që Urdhër Pagesat ekzekutohen në bazë të MSISDN-së. Prandaj, Përdoruesi është e vetmja palë përgjegjëse
për saktësinë e vendosjes dhe ruajtjes së MSISDN-së së Përfituesit; - autorizon Bankën të ekzekutojë çdo Urdhër Pagesë të lëshuar nga Përdoruesi përmes KUIK;
- do të jetë mbajtësi i vetëm dhe ekskluziv i përgjegjësisë në lidhje me secilën dhe të gjitha humbjet dhe/ose
dëmet financiare dhe/ose morale që rezultojnë nga neglizhenca, pakujdesia, sjellja e gabuar e qëllimshme dhe/ose
veprimet mashtruese të tij/saj; - garanton që ai/ajo nuk ka qëllim ta përdorë, dhe nuk do ta përdorë KUIK për qëllime të paligjshme, duke
përfshirë, por pa u kufizuar në, pastrimin e parave dhe/ose financimin e terrorizmit.
Banka:
- garanton cilësinë dhe funksionalitetin e KUIK në përputhje me ligjet dhe rregulloret e zbatueshme në fuqi;
- do të informojë Përdoruesin përmes ndonjë prej metodave të njoftimit të parashikuara nga këto TKP për çdo
ndryshim të TKP-ve, të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) Ditë Pune përpara se këto ndryshime të hyjnë në fuqi. Nëse
Përdoruesi nuk i kundërshton me shkrim këto ndryshime, apo nuk mbyll Llogarinë e tij/saj KUIK brenda 10 (dhjetë)
Ditësh Pune pas këtij njoftimi, këto ndryshime do të konsiderohen të jenë pranuar nga Përdoruesi, përndryshe
Përdoruesi do të ketë të drejtën të kërkojë mbylljen e KUIK; - rezervon të drejtën të refuzojë aplikimin për regjistrim për KUIK të një individi;
- rezervon të drejtën të pezullojë apo mbyllë KUIK për çdo Përdorues për mospërputhje me këto TKP dhe/ose
legjislacionin e zbatueshëm, dhe/ose për arsye që konsiderohen të përshtatshme nga Banka; - rezervon të drejtën të refuzojë dhe/ose pezullojë një Urdhër Pagesë;
- vetëm në gjykimin e saj, rezervon të drejtën të ndërmarrë veprime shtesë për të verifikuar vlefshmërinë e një
Urdhër Pagese apo identitetin e Përdoruesit; - do të jetë përgjegjëse vetëm për ekzekutimin e Urdhër Pagesave të dërguara përmes KUIK nëse Llogaria Bankare e
Përdoruesit ka fonde të mjaftueshme për të ekzekutuar Urdhër Pagesën, dhe nëse Urdhër Pagesa nuk i kalon limitet
e vendosura nga Banka dhe/ose legjislacioni përkatës, nëse ka; - nuk do të jetë përgjegjëse për keqfunksionimin e mjeteve/pajisjeve dhe rrjeteve të telekomunikacionit që bien
jashtë kontrollit dhe përgjegjësive të saj, që mund të ndikojë në çfarëdo mënyre dërgimin e Urdhër Pagesave te
Banka; - nuk do të jetë përgjegjëse për defekte elektronike ose mekanike, paaftësinë për të shkarkuar të dhëna, viruse,
defekte dhe/ose probleme të tjerë të lidhur me pajisjen e Përdoruesit; - nuk do të jetë përgjegjëse për një dëm apo humbje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të shkaktuar ndaj
Përdoruesit që rezulton nga mospajtueshmëria e Përdoruesit me këto TKP; - do të konsiderojë të vlefshme, përfundimtare dhe detyruese çdo Urdhër Pagesë të dërguar sipas procedurave të
përcaktuara në këto TKP. Banka rezervon të drejtën të ndërmarrë veprime shtesë për të verifikuar vlefshmërinë e
Urdhër Pagesës apo identitetin e Përdoruesit (Dërgues dhe/ose Përfitues), përveç procedurave standarde të
përcaktuara në këto TKP. Urdhër Pagesat do të konsiderohen të vlefshme, të parevokueshme dhe detyruese sapo ato
të jenë marrë nga Banka. Përdoruesi është plotësisht përgjegjës për saktësinë e Urdhër Pagesave; - do të ekzekutojë Urdhër Pagesat vetëm nëse përmbushen kushtet për ekzekutimin e tyre, të përcaktuara në këto
TKP; - në rast të një rreziku të konsiderueshëm për sigurinë, Banka rezervon të drejtën të ndërpresë KUIK në çdo
kohë, në mënyrë që të mbrojë Përdoruesin derisa rreziku të jetë eliminuar, duke njoftuar Përdoruesin nëpërmjet
Aplikacionit, email-it dhe/ose SMS; - Banka nuk do të aplikojë komisione të tjera, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, ndaj Përdoruesve në lidhje me
Urdhër Pagesat e lëshuara nga Përdoruesit përmes KUIK dhe/ose përdorimin e KUIK nga Përdoruesit. Për shmangien e
çdo dyshimi, ky parashikim nuk përfshin tarifat apo komisionet e aplikuara nga Banka, të cilat mund të burojnë
ekskluzivisht nga veprimtaria e saj bankare, duke përjashtuar KUIK, dhe transaksionet për të cilat, Përdoruesit
kanë hyrë në marrëveshje të veçanta me Bankën; - rezervon të drejtën të vendosë kufizime dhe/ose limite, në shumë dhe kohë, mbi Transfertat. Këto limitime
dhe/ose kufizime të tjera të zbatueshme mbi Transfertat do t’i njoftohen Përdoruesit siç parashikohet në këto
TPK.
Banka dhe Përdoruesi do të zbatojnë masa sigurie të nivelit të lartë, teknike dhe organizative, të cilat do të
mundësojnë minimizimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në KUIK.
- KUJDESI NDAJ PËRDORUESIT
Përdoruesi mund të paraqesë ankesa për parregullsi të vërejtura gjatë përdorimit të KUIK brenda 5 (pesë) Ditësh
Pune nga data që kjo parregullsi është vërejtur. Ankesat mund të dërgohen me shkrim në zyrat e Bankës, nëpërmjet
postës, apo elektronikisht në [email protected] ose në
faqen e internetit të Bankës. Banka do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zgjidhur problemin, objekt ankese, sa
më shpejt të jetë e mundur.
Nëse Përdoruesi kërkon ndihmë apo suport për përdorimin e KUIK apo lindin pyetje gjatë përdorimit të tij,
Përdoruesi mund të kontaktojë Bankën në njërën prej alternativave të mëposhtme:
- Duke dërguar një email në: [email protected]
- Duke telefonuar numrin: +35542381381; ose
- Duke dërguar një letër në adresën: Raiffeisen Bank sh.a., Blv. “Bajram Curri”, Qendra ETC, Kati 7, Tiranë.
- MBLEDHJA DHE PËRPUNIMI I TË DHËNAVE PERSONALE
Të Dhënat Personale të të gjithë Përdoruesve do të mblidhen dhe përpunohen më tej ekskluzivisht për qëllimet e
regjistrimit për dhe ofrimit të KUIK. Banka do të përdorë të Dhënat Personale të Përdoruesve vetëm për qëllimet e
ofrimit të KUIK Përdoruesve dhe përdorimit të KUIK nga Përdoruesit.
Me pranimin e këtyre TKP-ve, Përdoruesi konsiderohet se ka dhënë pëlqimin e tij/saj eksplicit dhe të qartë për
mbledhjen, transferimin, ruajtjen, përdorimin dhe përpunimin e të Dhënave Personale të tij/saj në kontekstin e
përdorimit të KUIK.
Me pranimin e këtyre TPK-ve, Përdoruesi do të konsiderohet se ka kuptuar dhe me vullnet të lirë dhe në mënyrë
eksplicite autorizon Bankën t’i transmetojë ofruesve të saj shërbimit dhe/ose kontraktorëve të saj për përpunim,
të Dhënat Personale të Përdoruesve, për qëllimet e ofrimit të KUIK.
Me pranimin e këtyre TPK-ve, Përdoruesi jep pëlqimin e tij/saj eksplicit për të marrë komunikime lidhur me
përdorimin dhe shërbimet e ofruara nga KUIK, me SMS dhe/ose përmes kanaleve të tjera të komunikimit që mund të
jenë të disponueshëm edhe për Bankën edhe për Përdoruesin. Përdoruesi ka të drejtë ta tërheqë këtë pëlqim në çdo
kohë.
Përdoruesi ka përgjegjësinë të informojë Bankën për çdo dhe të gjithë ndryshimet në të Dhënat Personale dhe/ose
informacionin e tij/saj që mund të ndikojnë në përdorimin e KUIK. Përdoruesi duhet të shkojë në Bankë për të
njoftuar këto ndryshime. Këto ndryshime të të dhënave mund të bëhen vetëm nga Përdoruesit me të Drejta të Plota.
Përdoruesit e Kufizuar, mund t’i ndryshojnë të dhënat e tyre, duke shkuar në Bankë dhe duke u bërë Përdorues me të
Drejta të Plota.
Banka dhe Përdoruesi do të zbatojnë siguri të nivelit të lartë, masa teknike dhe organizative që do të bëjnë të
mundur miminimizim e ndërhyrjeve të paautorizuara në sistem, ndryshimeve dhe humbjeve të të dhënave.
Banka është përgjegjëse për përmbushjen e të gjithë detyrimeve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e
të dhënave personale. Përdoruesi ka të gjitha të drejtat e parashikuara në këtë legjislacion, duke përfshirë, por
pa u kufizuar në:
- E drejta për akses;
- E drejta për të kërkuar bllokimin, korrigjimin apo fshirjen;
- E drejta për të mos qenë subjekt i vendimmarrjes automatike;
- E drejta për të kundërshtuar;
- E drejta për t’u ankuar;
- E drejta për kompensimin e dëmit.
Banka do të mbledhë dhe përpunojë të dhënat e mëposhtme nga Përdoruesit, për regjistrimin për dhe përdorimin e
KUIK:
Emër; Mbiemër; Numri i Sigurimeve Shoqërore (“NSS-Numri Personal”); Datëlindje; MSISDN; Numrin e
llogarisë bankare të Përdoruesit (IBAN); Operatorin e Rrjetit Mobil të Përdoruesit; Numrin e identifikimit të
Pajisjes (i njohur si UDID, ID e Pajisjes dhe/ose ID e Shitësit, në varësi të Sistemit Operues të Pajisjes);
Listën e Kontakteve të telefonit të Përdoruesit; Adresa; Adresa e email-it.
Banka do të ruajë të dhënat e Përdoruesit për jo më shumë se 5 (pesë) vjet pas mbarimit të këtyre TPK-ve.
- MBYLLJA DHE PEZULLIMI I KUIK
Nëse Banka zgjedh të mos ofrojë më KUIK apo të ndërpresë ofrimin e tij, do të njoftojë Përdoruesit nëpërmjet
Aplikacionit, email-it dhe/ose SMS të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) Ditë Pune përpara se kjo ngjarje të ndodhë. Me
pranimin e këtyre TPK-ve, Përdoruesi bie dakord dhe jep pëlqimin e tij të parevokueshëm që në asnjë rast Banka nuk
do të mbajë përgjegjësi kundrejt Përdoruesit për këtë mbyllje dhe/ose ndërprerje.
KUIK mund të ndërpritet apo mbyllet për shkak të mirëmbajtjes, modifikimit, ndryshimeve ose ndërhyrjeve të tjera
në KUIK, apo në platformat përkatëse të Bankës, apo për çdo arsye tjetër jashtë kontrollit të Bankës, apo për çdo
shkak tjetër që konsiderohet i arsyeshëm nga Banka.
Përdoruesi mund të kërkojë në çdo kohë mbylljen e KUIK. Përdoruesit me të Drejta të Plota mund të mbyllin KUIK
duke shkuar në Bankë dhe duke plotësuar formularin përkatës. Përdoruesit e Kufizuar mund të mbyllin KUIK online
duke përdorur Aplikacionin.
Përdoruesi mund të çinstalojë/heqë Aplikacionin nga Pajisja në çdo kohë. Ky çinstalim/heqje nuk do të nënkuptojë
mbylljen e KUIK. Pas çinstalimit/heqjes së Aplikacionit, të dhënat e transaksioneve të Përdoruesit nuk do të
humbasin, dhe ky çinstalim/heqje nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë përdorimin e KUIK, nëse Përdoruesi e
ri-instalon atë.
Banka mund të mbyllë KUIK për një Përdorues për arsyet e mëposhtme:
- kur shkelen apo nuk ndiqen TPK-të dhe/ose udhëzimet e Bankës;
- nëse Përdoruesi mbyll Llogarinë e tij Bankare pranë Bankës.
Banka mund të pezullojë përkohësisht KUIK, dhe të bllokojë aksesin në të për një Përdorues për të ruajtur
sigurinë e tij/saj:
- nëse Përdoruesi vendos 3 (herë) radhazi një PIN të gabuar. Në këtë rast, Përdoruesi duhet të shkojë në Bankë
për të zhbllokuar Llogarinë e tij KUIK; - nëse Përdoruesi vendos 5 (pesë) radhazi një OTP të gabuar. Në këtë rast, Përdoruesi duhet të shkojë në Bankë
për të zhbllokuar Llogarinë e tij KUIK; - nëse Përdoruesi vëren apo dyshon që PIN-i, OTP-ja, kodi i aktivizimit, Pajisja dhe/ose MSISDN-ja (karta SIM) e
tij/saj ka humbur, është vjedhur, apo nëse ka patur akses të paautorizuar në to. Në këtë rast, Përdoruesi duhet
të njoftojë menjëherë Bankën në një nga mënyrat e parashikuara në Nenin 8 “Kujdesi ndaj Përdoruesit”; - nëse Banka ka dyshime të arsyeshme që PIN-i, OTP-ja, kodi i aktivizimit, Pajisja dhe/ose MSISDN-ja (karta SIM)
e Përdoruesit mund të jetë kompromentuar ose nëse vëren akses të paautorizuar apo aktivitet të pazakontë të
Përdoruesit në KUIK.
Banka rezervon të drejtën të ndërpresë përkohësisht transfertat në përgjithësi, apo ndaj Përfituesve specifikë
apo nga Dërgues specifikë. Në këtë rast, Përdoruesi nuk do të lejohet të iniciojë një Urdhër Pagesë duke u
njoftuar paraprakisht nga Aplikacioni.
Banka, vetëm në gjykimin e saj, rezervon të drejtën të shtojë, modifikojë dhe/ose heqë sisteme operative mobile
të caktuara nga Aplikacioni, të shtojë dhe/ose heqë suportin për sisteme operative mobile të caktuara dhe të mos
lejojë akses në Aplikacion nga sisteme operative mobile të caktuara.
- PËRDORIMI I PAAUTORIZUAR
Përdoruesi është përgjegjës për ruajtjen e konfidencialitetit të PIN-it, kodit të aktivizimit, OTP-së të tij/saj
dhe sigurinë e Pajisjes dhe/ose MSISDN-së (karta SIM) të tij/saj. Përdoruesi nuk duhet t’i japë PIN-in, kodin e
aktivizimit, OTP-në, Pajisjen dhe/ose MSISDN-në e tij/saj asnjë personi të paautorizuar dhe do të marrë të gjithë
hapat e nevojshëm për të parandaluar personat e paautorizuar të mësojnë ndonjë nga të mësipërmet, dhe/ose të
përdorin apo marrin në posedim Pajisjen apo MSISDN e Përdoruesit.
Përdoruesi do të njoftojë Bankën sa më shpejt të jetë e mundur, nëse ai/ajo dyshon që një person i paautorizuar
është vënë në dijeni të PIN-it, kodit të aktivizimit, OTP-së së tij/saj, ose që ata së bashku me Pajisjen dhe/ose
MSISDN-në e Përdoruesit janë vjedhur, dhe janë përdorur për të kryer transferta të paautorizuara përmes KUIK, dhe
Banka do të pezullojë përdorimin e KUIK, dhe Përdoruesi do të shkojë në Bankë për të riaktivizuar KUIK. Në këtë
situatë, Përdoruesi i Kufizuar duhet të bëhet Përdorues me të Drejta të Plota në mënyrë që Banka të riaktivizojë
KUIK.
Nëse Përdoruesi dyshon ndonjë nga sa më sipër, ai/ajo mund të ndryshojë/rikrijojë PIN-in e tij/saj duke përdorur
Aplikacionin.
Nëse Përdoruesi nuk e njofton Bankën menjëherë sapo të vërejë një veprim abuziv me PIN-in, kodin e aktivizimit,
OTP-në, Pajisjen, MSISDN-në e tij/saj, apo vjedhjen e ndonjërës prej tyre, atëherë Përdoruesi do të mbahet
përgjegjës për të gjitha Urdhër Pagesat dhe/ose Transfertat e lëshuara dhe/ose ekzekutuara, deri në momentin që
Banka është njoftuar nga Përdoruesi për këto ngjarje.
- KUFIZIMET E PËRGJEGJËSISË
Banka nuk do të mbajë përgjegjësi në rastin e:
- Urdhër Pagesave të gabuara të lëshuara nga Përdoruesi;
- përdorimit të gabuar apo të paautorizuar të KUIK;
- humbjeve apo dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i KUIK kur ky i fundit ndalohet, kufizohet, vonohet apo
ndikohet në çfarëdolloj mënyre nga ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe/ose nga kushtet e internetit, që lejon
Përdoruesin të shkarkojë, aksesojë dhe përdorë KUIK; - humbjeve apo dëmeve të shkaktuara nga veprimet apo mosveprimet e Përdoruesit gjatë përdorimit të KUIK;
- pamundësisë apo vonesave për të aksesuar dhe/ose përdorur KUIK;
- kostove të shërbimit të internetit, sinjalit të dobët apo të munguar të internetit gjatë përdorimit të KUIK;
- pamundësisë për të shkarkuar Aplikacionin, apo mospërputhshmërisë së Aplikacionit me Pajisjen;
- gabimeve në informacionin e transmetuar nga Përdoruesi përmes Urdhër Pagesave, duke përfshirë por pa u
kufizuar në, shumën e transfertës apo MSISDN-në e Përfituesit; - përdorimit abuziv nga palë të treta të paautorizuara të PIN-it, kodit të aktivizimit, OTP-së, Pajisjes dhe/ose
MSISDN-së të Përdoruesit për shkak të fajit apo neglizhencës së Përdoruesit; - keqfunksionimit të Pajisjes së Përdoruesit;
- pamundësisë së Përdoruesit dhe/ose Pajisjes së tij/saj për të shkarkuar/aksesuar/përdorur Aplikacionin;
- defekteve elektronike dhe/ose mekanike të Pajisjes së Përdoruesit, apo viruseve dhe/ose problemeve të tjera të
Pajisjes; - hacking të Pajisjes së Përdoruesit.
Banka nuk garanton që aksesi në KUIK dhe përdorimi i tij do të jetë i pandërprerë dhe pa gabime, apo që defektet,
nëse ka, do të korrigjohen, dhe Banka nuk jep premtime apo garanci për saktësinë, besueshmërinë, aktualshmërinë,
cilësinë, plotësinë, dobinë, performancën, sigurinë apo përshtatshmërinë e KUIK.
Banka nuk është përgjegjëse ndaj Përdoruesit apo çdo personi tjetër për dëmet e çfarëdo lloji që lindin nga apo
në lidhje me përdorimin e KUIK, përveç nëse specifikohet ndryshe në këto TKP.
Përdoruesi është përgjegjës për mirëmbajtjen e Pajisjes që ai/ajo përdor për të aksesuar dhe përdorur KUIK, dhe
pagesën për këto pajisje dhe kostot e telekomunikacionit.
Përdoruesi është përgjegjës për të gjitha Urdhër Pagesat e lëshuara dhe transaksionet e kryera nga Pajisja e
tij/saj dhe/ose nën PIN-in e tij/saj, dhe do të zhdëmtojë/mbrojë Bankën kundrejt të gjithë pretendimeve të bëra në
lidhje me këto Urdhër Pagesa.
Pa u kufizuar në sa më sipër, Banka nuk garanton që KUIK do të përputhet me kërkesat e Përdoruesit; që KUIK do të
jetë i disponueshëm në çdo kohë ose vend, i pandërprerë; apo që defektet apo gabimet do të korrigjohen.
Banka nuk është përgjegjëse për shkeljet e sigurisë, hacking, malwares, rreziqet, dëmet, humbjet dhe të gjitha
pasojat e tjera të këqija dhe/ose të padëshiruara që vijnë nga përdorimi i Aplikacionit nga një Pajisje që i është
bërë root dhe/ose jailbreak. Përdoruesi që përdor Aplikacionin nga një Pajisje të cilës i është bërë root dhe/ose
jailbreak duhet të konsiderojë dhe do të jetë përgjegjësi i vetëm dhe ekskluziv për të gjitha shkeljet e sigurisë,
hacking, malwares, rreziqet, dëmet, humbjet dhe të gjitha pasojat e tjera të këqija dhe/ose të padëshiruara të
lidhura me përdorimin e një Pajisjeje që i është bërë root dhe/ose jailbreak.
- PRONËSIA INTELEKTUALE
KUIK, Aplikacioni, gjithë software i lidhur me të, dhe të gjitha të drejtat e regjistruara ose të paregjistruara,
të drejtat e autorit, sekretet tregtare, përmbajtja, know-how, dhe të gjitha të drejtat e tjera të pronësisë
intelektuale në KUIK apo të lidhura me të janë dhe do të mbeten pronë ekskluzive e Bankës ose e ofruesve të
shërbimit/licensuesve/kontraktorëve të saj.
Të gjitha markat tregtare, logot, sloganet dhe motot e përfshira në KUIK janë pronë e Bankës ose e ofruesve të
shërbimit/licensuesve/kontraktorëve të saj. Të gjitha markat tregtare, logot, sloganet dhe motot e tjera të
përfshira në KUIK, nëse ka, janë pronë e pronarëve të tyre përkatës. Çdo përdorim i sa më sipër, pa autorizimin e
duhur nga pronari përkatës, është i ndaluar shprehimisht. Përveç kur parashikohet ndryshe në mënyrë specifike në
këto TKP, asgjë në këto TPK dhe/ose përdorimi i KUIK nuk duhet të interpretohet si dhënie e një license ose të
drejte për të përdorur një markë tregtare, logo, slogan apo moto që shfaqet në KUIK pa lejen e shprehur me shkrim
të Bankës apo të pronarit përkatës.
Përdorimi i KUIK, nuk lejon Përdoruesin, dhe Përdoruesi bie dakord që të mos: kopjojë, riprodhojë, modifikojë,
shpërbëjë, çmontojë dhe rikrijojë ose të përpiqet të zbulojë një kod programimi apo kod burimi të përdorur në ose
në lidhje me KUIK ose të përdorë KUIK përveç se siç lejohet në këto TPK. Banka rezervon të gjitha të drejtat që
nuk jepen shprehimisht në këto TPK në lidhje me KUIK.
- MODIFIKIMET DHE PËRDITËSIMET
Banka mund të rishikojë këto TKP në çdo kohë nën vetëm gjykimin e saj, dhe do të njoftojë Përdoruesin siç
parashikohet në këto TPK.
Banka rezervon të drejtën të mbyllë KUIK dhe/ose të modifikojë funksionalitetet e tij, apo politikat e tij në çdo
kohë.
Përdoruesit mund t’i duhet të instalojë përditësimet e Aplikacionit që mund të dalin nga koha në kohë, në mënyrë
që të vazhdojë të përdorë siç duhet KUIK.
- VËRTETIMI I PAGESËS
Banka nuk do të japë vërtetime pagese të printuara për Transfertat e kryera përmes KUIK. Konfirmimi për kryerjen
e suksesshme të Transfertave do të jepet përmes Aplikacionit dhe email. Transfertat e kryera përmes KUIK do të
listohen gjithashtu edhe në nxjerrjen e llogarisë së Llogarisë Bankare së Përdoruesit të lëshuar nga Banka.
- LIGJI I ZBATUESHËM DHE ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE
Këto TPK janë hartuar dhe do të zbatohen në përputhje me legjislacionin shqiptar. Në rast mosmarrëveshjesh, të
cilat mund të mos zgjidhen në mënyrë miqësore mes Bankës dhe Përdoruesit, gjykata ekskluzive për zgjidhjen e
mosmarrëveshjeve do të jetë Gjykata e Rrethit Tiranë.
- DEKLARATA E PËRDORUESIT
Kuptoj se të dhënat e mia personale, të deklaruara në këtë formular dhe/ose në çdo dokument tjetër
(formular/kontratë) të nënshkruar apo deklaruar pranë Bankës, në lidhje me dhe për qëllime të ofrimit të KUIK,
janë të dhëna, të cilat do të përpunohen nga kjo e fundit me standardet më të larta të sigurisë si dhe konform
parashikimeve ligjore ne fuqi, vetëm për qëllimin e ofrimit të KUIK dhe/ose për të përmbushur një detyrim ligjor
që Banka mund të ketë, bazuar në aktet ligjore dhe rregullative në Republikën e Shqipërisë. Kuptoj se mbetet
detyrim i imi të përditësoj këto të dhëna, sa herë që do të ndryshohen. Gjithashtu, deklaroj se jam njohur me
faktin se kam të drejtë, që në çdo kohë, me anë të një kërkese paraprake me shkrim, t’i kërkoj Bankës që të
korrigjojë apo të fshijë të dhënat e mia personale.
Përpunimi i të dhënave personale
Deklaroj se informacioni i dhënë nga ana ime në ketë aplikim është i vërtetë dhe i saktë.
Une shpreh pëlqimin tim që Banka të mbledhë të dhënat e mia personale si më sipër si edhe t’i përpunojë më tej
ato vetëm për qëllimin e ofrimit të KUIK për të cilin po aplikoj. Kuptoj se çdo e dhënë personale lidhur me
personin tim do të trajtohet me nje nivel sigurie të standardeve më të larta në përputhje të plotë me parashikimet
e Ligjit nr. 9887 datë 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim
të tij, si edhe përputhje me parashikimet e bëra në “Rregulloren e Përgjithshme Europiane Për Mbrojtjen e të
Dhënave Personale” (“GDPR”). Gjithashtu, deklaroj dhe jap miratimin tim për përpunimin e
mëtejshëm të të dhënave personale nga ana e Bankës duke i transferuar këto të dhëna drejt palëve kontraktore të
cilat mund të jenë në cilësinë e përpunuesit në kuadër, të çeljes, mirëmbajtjes dhe administrimit të llogarisë
rrjedhëse. Në këtë kuadër, jam njohur me faktin që të dhënat e mia personale i transferohen subjektit CRISP
Centralised Raiffeisen International Services & Payments S.R.L me seli në Bukuresht- Rumani, në mënyrë që
Banka të ushtrojë vigjilencën e duhur si edhe të zbatojë detyrimet e tjera që burojnë nga legjislacioni në fuqi në
fushën e parandalimit të pastrimit të parave. Autorizoj në mënyrë të shprehur Bankën që të ruajë të dhënat e mia
personale për një afat deri në 5 vite pas mbylljes së KUIK për Përdoruesin. Jam njohur nga Banka me faktin që për
çdo pyetje apo informacion lidhur me mënyrën e përpunimit të të dhënave të mia personale kam të drejtë të dergoj
e-mail në adresën elektronike: [email protected].
Gjithashtu, kuptoj se bazuar në dispozitat e GDPR dhe Ligjit “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” si dhe akteve
nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, une mund të ushtroj në çdo kohë të drejtën për akses, drejtën për të
kërkuar kërkuar bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave personale që përpunohen nga ana e Bankës.
Gjithashtu në çdo kohë ruaj të drejtën për t’u ankuar tek Komisioneri për të Drejtën Informimit dhe Mbrojtjen të
Dhënave Personale” dhe ruaj të drejtën për t’u tërhequr nga dhënia e pëlqimit për përpunim të të dhënave
Përpunimi i mëtejshem i të dhënave personale
Jap miratimin tim të pakushtëzuar që Raiffeisen Bank të përdorë të dhënat e mia personale për qëllimin e
përfitimit nga ana ime të ofertave promocionale, si pjesë e paketës së produkteve/shërbimeve që Banka ofron (apo
do të ofrojë në të ardhmen) nëpërmjet një apo disa prej kanaleve të informimit, duke përfshirë por pa u kufizuar
në: i) postë zyrtare ii) SMS iii) telefonatë iv) postë elektronike etj. Në këtë kuadër, autorizoj Raiffeisen Bank
që, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si dhe bazuar në dispozitat ligjore dhe rregullative në
fuqi, të delegojë përpunimin e mëtejshëm të të dhënave të mia personale, duke i transferuar këto të dhëna tek palë
të treta të specializuara për këtë qëllim. Gjithashtu deklaroj se jam njohur me të drejtën që në çdo kohë të
kërkoj nga Banka revokimin e këtij miratimi.
Konfirmoj që kam lexuar, kuptuar dhe pranuar këto TKP dhe kam marrë një kopje të
tyre.